|
Më 18 Shtator 2003 Shqipëria nënshkroi zyrtarisht Deklaratën e Bolonjës duke u bërë kështu pjesëmarrëse me të drejta të plota në një proces që ka filluar që në vitin 1999 dhe që ka si qëllim final krijimin e një HEAL
Më 18 Shtator 2003 Shqipëria nënshkroi zyrtarisht Deklaratën e Bolonjës duke u bërë kështu pjesëmarrëse me të drejta të plota në një proces që ka filluar që në vitin 1999 dhe që ka si qëllim final krijimin e një HEAL. Kjo do të thotë që sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri të reformohet në bazë të standardeve të shpallura dhe të pranuara tashmë nga vendet anëtare të procesit të Bolonjës duke e bërë atë të krahasueshëm dhe të përputhshëm me sistemet e tjera evropiane të arsimit të lartë. Procesi është gjithëpërfshirës dhe parashikon plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë në lidhje me: • Konsolidimin e autonomisë financiare; • Vendosjes së sistemit 3+ (1) (2) + (3); • Realizimit të reformës në kërkimin shkencor në shkollat e larta; • Realizimit të suplementit të diplomës; • Zbatimit të kartës së studentit; • Përmirësimit të procesit të njohjes së diplomave; • Vendosja e standardeve të performancës.
Kjo strukturë u zbatua për herë të parë në degën e infermierisë, cikli parashkollor dhe cikli i ulët. UT filloi implementimin e skemës së re edhe në degën e gazetarisë. Degët e universiteteve të ndryshme që lëshojnë diploma të njëjta, do të kenë të paktën 70% të planit mësimor të ngjashëm. Me amendimin e ligjit të “Arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” në korrik të vitit 2003, sistemi i kualifikimit shkencor pasuniversitar është i ndarë në dy faza: faza e parë është marrja e diplomës së studimeve të thelluara pasuniversitare që quhet Master dhe faza e dytë, e cila lidhet me karrierën shkencore, fillon me mbrojtjen e doktoraturës dhe përfundon me marrjen e titujve “profesor” ose “drejtues kërkimesh”. Një Grup Qendror i reformës në arsimin e lartë dhe universitetet po përgatisin dokumentacionin për të riorganizuar fazën e kualifikimit shkencor (master) dhe organizimin e doktoraturës sipas përvojës evropiane. Materialet draft do të paraqiten në periudhën mars-prill 2005. Akreditimi Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë e krijuar në vitin 1999 është institucion publik. Ajo ka hartuar standardet dhe procedurat e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm të universiteteve. Një degë e veçantë apo një institucion i arsimit të lartë duhet të akreditohet brenda 4 vitesh akademik. AAAL ka kryer vlerësimin e degëve të infermierisë të cilat funksionojnë në 6 universitete dhe degën e inxhinierisë së Ndërtimit në UPT. Për këto vlerësime Këshilli i Akreditimit merr vendimet përkatëse. Sistemi ECTS Në arsimin e lartë shqiptar po i jepet përparësi dhe futjes së Sistemit Europian të Transferimit të Krediteve (ECTS). Ky sistem u ngrit nga Komisioni i BE, me qëllim që të bëjë të mundur kryerjen e procedurave të zakonshme, që sigurojnë njohjen akademike të studimeve jashtë shtetit. Ai realizon matjen dhe një mënyrë krahasimi të arritjeve të të mësuarit si dhe të transferimit të tyre, nga njëri universitet në tjetrin. Në vendin tonë për herë të parë, UT ndërmori iniciativën për të ndërtuar sistemin e krediteve duke botuar kurrikulat e reja të shprehura në kreditet ECTS në vitin 2003. E gjithë kjo punë reflektohet në PAKETAT E INFORMACIONIT, të hartuara nga grupet e ngritura pranë çdo fakulteti të këtij Universiteti. Në UT, krijimi i Sistemit të Pikëve të Kreditit, është përpjekje për të realizuar, në vazhdim, reforma të rëndësishme, si kërkesë e domosdoshme për t'u integruar rrjetin universitar evropian. Vendosja e këtij sistemi erdhi si një ndër kërkesat themelore të ristrukturimit të arsimit të lartë, që parashtrohen në Deklaratën e Bolonjës, parimet e së cilës i ka pranuar dhe po punon për t'i realizuar UT. Vendosja e Sistemit të Krediteve i krijon mundësi studentëve shqiptar që të transferohen, në vite të ndërmjetme, në universitete europiane (sikurse mundëson edhe studentë të huaj për të ardhur në UT). Lëvizja e studentëve është konsideruar nga Komuniteti Europian si një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit ndëruniversitar. E rëndësishme është edhe njohja e viteve të studimit ose të provimeve të kryera për lëndë të veçanta pranë Shkollave të Larta të huaja nga shtetas shqiptarë (ose të huaj) që vijnë në Shqipëri dhe kërkojnë të vazhdojnë (ose përfundojnë) studimet në shkollat e larta të Shqipërisë. Kreditet Në bazë të Udhëzimit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, për arsimin e lartë me kohëzgjatje të plotë, një semestër do të ketë afërsisht 30 kredite ECTS. Një vit akademik të ketë 60 kredite ECTS. Diploma universitare me kohëzgjatje tre vjeçare të studimeve të përmbajë 180 kredite. Diploma universitare me kohëzgjatje mbi tre vjet, për çdo vit më tepër do të përmbajë 60 kredite më shumë. Kreditet konsiderohen të fituara në rastin kur studenti është vlerësuar me notë kaluese në lëndën përkatëse. Studenti kalon në vitin pasardhës, kur ai fiton 30 kredite të vitit që vazhdon studimet. Çdo fakultet përcakton sasinë e krediteve të detyrueshme për lëndë të caktuara, pa fitimin e të cilave, studenti nuk kalon në vitin pasardhës edhe në rastin kur ka fituar 30 kredite. Suplementi i Diplomës Një nga objektivat e mbledhjes së Bolonjës është njohja dhe ekuivalentimi i niveleve të studimit. Suplementi i Diplomës është një praktik dhe konceptim i ri ne arsimin e lartë. Politika evropiane për arsimin e lartë shkon në njohjen e diplomave në BE. Suplementi i Diplomës është një dokument që i bashkëngjitet shenjës, qëllimit të diplomës së arsimit të lartë dhe provon “transparencën” ndërkombëtare dhe ndihmon në njohjen e lehtë akademike dhe profesionale të kualifikimeve (diplomës, shkallët, certifikatave etj.) Me Udhëzim të veçantë të MASH, ka filluar implementimi në praktikë i “Shtojcës së diplomës”. Për këtë janë hartuar: • Modeli i shtojcës së diplomës, e cila mund të pësojë modifikime të vogla sipas specifikave që kanë universitetet. • Notat shpjeguese për të gjitha zërat që përmban “Shtojca e diplomës”. • Fjalori shpjegues i termave. Kështu së bashku me diplomën studentët do të kenë edhe suplementin e diplomës që do të shoqërojë atë. Në përfundim të studimeve sekretaritë e njësisë mësimore përkatëse e pajisin të diplomuarin me shtojcën e diplomës. Procesi i njohjes së diplomave dhe certifikatave Sipas Udhëzimit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, njohja e diplomave dhe certifikatave të fituara në shkollat e larta të huaja (jashtë shtetit) kupton konfirmimin ligjor nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të arsimimit të arritur dhe siguron të drejta të barabarta me arsimimin në Shqipëri. Mënyrat e njohjes akademike të diplomave dhe certifikatave të fituara në shkollat e larta të huaja nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, janë: • E drejtpërdrejtë, kur ato janë të vendosura me emërtim për njohje të ndërsjellë në marrëveshjet dypalëshe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me vende të tjera. • Me ekuivalentim, kur ato nuk janë të përfshira me emërtim në marrëveshjet ndërqeveritare dhe nuk kanë nevojë për plotësim diferencash. • Me plotësim diferencash të verifikuara. Burimi: MASH
|